Kim Kardashian ka vendosur t’i japë fund spekulimeve rreth një prej momenteve më të përfolura të karrierës së saj – veshjen e fustanit legjendar të Marilyn Monroe në Met Gala 2022.
Gjatë një interviste për revistën “Vanity Fair”, në rubrikën “Lie Detector Test”, ku bashkëbisedonte me këngëtaren Teyana Taylor, ylli 45-vjeçar u pyet drejtpërdrejt nëse kishte dëmtuar fustanin ikonë të Monroe-s.
“Jo,” u përgjigj me vendosmëri Kardashian, duke shtuar:
Nuk e di si arriti tek unë, por tani është perfekte.
Fustani në fjalë, i dizajnuar nga Jean Louis dhe i veshur fillimisht nga Marilyn Monroe në vitin 1962 gjatë performancës “Happy Birthday” për Presidentin John F. Kennedy, është një nga veshjet më të famshme në historinë e modës. Në atë kohë, ai kushtonte rreth 12,000 dollarë, një shumë e konsiderueshme për epokën.
Për t’u përshtatur me fustanin e ngushtë, Kim iu nënshtrua një transformimi të rreptë fizik – ajo humbi 16 paund (rreth 7 kilogramë) në vetëm tre javë përmes një diete strikte, duke shkaktuar debat mbi standardet e bukurisë dhe shëndetit që promovohen nga yjet e famshëm.
Në intervistë, Kardashian pranoi se kishte pasur shqetësime të mëdha për sigurimin e fustanit, pasi vlera e tij aktuale vlerësohej në miliona dollarë.
Kisha frikë se mund të humbisja 10 milionë dollarë nëse diçka do të ndodhte
-tha ajo me humor.
Megjithëse polemikat për dëmtimin e fustanit vazhdojnë, momenti i Kim Kardashian në Met Gala 2022 mbetet një nga më të komentuarit dhe më simbolikët në historinë e eventit prestigjioz të modës.