I ftuar në studio ditën e sotme në “Live From Tirana” ka qenë Erald Farruku. Eraldi nuk është një emër i panjohur në botën e televizionit apo rrjeteve sociale dhe mund ta kemi hasur shpesh nëpër intervista të ndryshme. Pavarësisht pasionit të tij për televizionin dhe radion, tashmë ai i është bashkuar një fushe tjetër, atë të biznesit. Si u qas ai me biznesin dhe të tjera si këto, na tregon më shumë Eraldi…
Le të themi që paskemi qenë biznesmenë të lindur brenda vetes (qesh). Ndonjëherë thonë që mjafton të kesh lekun dhe të tjerat bëhen, por biznesi është një fushë që mua më përshtatet shumë mirë. Studimet e mia të larta kanë qenë për inxhinieri dhe e kisha gjysmën e formimit për të marrë përgjegjësi më shumë. Dhe marrja e përgjegjësive mbi supe dhe risku që ka çdo biznes, besoj se më përshtatej dhe arrija ta përballoja. Padyshim që dëshira për televizionin nuk vdes kurrë, por mund të kthehemi në një moment kur të gjejmë pak hapësirën e lirë që të vendosim disa gjëra në vijë.
Duke qenë hera e tij e parë pas shumë vitesh që vjen në një radio, pasi ka punuar më parë dhe në një tillë, Eraldi ka treguar se si e përjetoi ardhjen në një radio si TAR.
Ishte shumë emocion kur pashë kufjet dhe kur i vendosa sërish, sepse mora një zhgënjim shumë të madh, flas për eksperiencën time të fundit. Dhe ishte një ambient ku unë u zhgënjeva shumë, pasi bëra zgjedhjen e gabuar. Bëra zgjedhjen e gabuar pasi besova tek disa persona të cilët nuk dinin si të punonin dhe si është puna e vërtetë. Kishin ngatërruar ndoshta median, e cila është pushteti i katërt dhe është liria maksimale për të bërë gjërat e duhura, gjëra të bukura, pra gjëra që publiku vërtet kërkon, me një fasoneri. E cila mendoj se mund të ishte një zgjedhje e gabuar nga drejtuesit përkatës, por gjithsesi mbetet zgjedhja e tyre.
Por si mendon Eraldi se duhen trajtuar prezantuesit, njerëzit publikë nga drejtuesit?
Këtë do e lidh pak me biznesin ku jam aktualisht. Në biznesin tim kam për secilin sektor, çdo strukturë të ngritur. Flas për stafin e shërbimit, për kuzhinën, flas për marketingun, flas për rezervimet, etj. Që do të thotë se edhe media i ka strukturat e ngritura, është regjia, është marketingu, janë gazetarët, moderatorët. Dhe në rastin kur një moderator është i punësuar si një moderator, nuk mundet t’i bëjë të gjitha gjërat vetë. Nëse ti do produktivitetin tek moderatori, duhet t’i lësh atij të jetë i frymëzuar, të jetë i inspiruar, të mos lodhet, të shesë sa më shumë tek publiku dhe jo t’i bëjë të gjithë gjërat vetë. Të bëjë rolin e kordinatorit vetë, të bëjë rolin e gazetarit vetë, të bëjë rolin e autorit vetë, të bëjë rolin e moderatorit vetë. Bëhen një fluks gjërash. dhe kjo liria të jep mundësinë që ti të japësh maksimumin nga vetja jote, në të kundërt mos prit që të ketë një rendiment të lartë nga aspekti i moderatorit. Në media sot po ndiqet një strategji e gabuar, sepse shumë prej moderatorëve u kërkohet që të sjellin sponsora. Mediat e vogla sepse mediat e mëdha, si Top Channel i kanë strukturat e ngritura.
I pyetur se a e ka lënduar ky fakt dhe se a e mendon rikthimin e tij sërish në media, Eraldi përgjigjet:
E mendoj rikthimin, realisht. Por në një moment kur unë ta shoh të arsyeshëm. Në një moment kur dhe kohërat t’i jenë rikthyer normalitetit. Sepse rastisi që periudha që lamë pas ishte pak jo e favorshme për të bërë gjëra vërtet të bukura, pasi u rikthyem shumë shpejt në një botë virtuale. Do i rikthehem në një moment të caktuar, kur unë të jem i përmbushur në të gjitha drejtimet për të bërë vërtet një gjë të bukur. Për të bërë gjërat që unë vërtet dua të bëj dhe që nuk ma imponon njeri.
Përveç detajeve të tij profesionale, Eraldi ndau me publikun dhe disa detaje nga jeta e tij personale. Ai është në një marrëdhënie me një vajzë të quajtur Xhenisa, të cilën ka vendosur që ta bëjë publike prej pak muajsh, edhe pse kanë një periudhë të gjatë së bashku.
Për pak muaj bëjmë 5 vite që jemi bashkë, edhe pse akoma nuk kemi bërë një vit që e kemi bërë marrëdhënien tonë publike. Ndoshta sepse ishim personazhe vetë publikë dhe ishte një gjë personale për të cilën duhet të merrja jo vetëm miratimin e Xhenisës, por ndoshta sepse jeta e saj personale meriton të respektohet dhe të trajtohet si jeta e saj personale.