Princi Harry ka folur hapur për dhimbjen e thellë që ka përjetuar pas humbjes së nënës së tij, Princesha Diana, gjatë një fjalimi emocional në Australi, në një aktivitet të fokusuar te shëndeti mendor.
Duka i Sussex-it ishte folësi kryesor në “InterEdge Summit” në Melbourne, ku ndau përjetime personale mbi pikëllimin dhe presionin e jetës publike.
Ai u shpreh:
Në përvojën time, humbja është çorientuese në çdo moshë. Pikëllimi nuk zhduket sepse e injorojmë. Të përjetosh këtë si fëmijë, ndërsa je në një ‘akuarium me peshq të kuq’ nën mbikëqyrje të vazhdueshme, po, kjo do të ketë sfidat e veta. Dhe pa qëllim, mund të të thyejë.
Harry pranoi gjithashtu momentet e vështira emocionale që ka kaluar ndër vite:
Ka pasur shumë herë kur jam ndjerë i mbingarkuar. Herë kur jam ndjerë i humbur, i tradhtuar ose plotësisht i pafuqishëm.
Ai foli edhe për periudhën pas vdekjes së nënës së tij, duke zbuluar se për një kohë të gjatë ka refuzuar rolin e tij publik:
Nuk e doja këtë punë, nuk e doja këtë rol… nuk më pëlqente drejtimi që po merrte jeta ime. Kjo e vrau nënën time dhe për vite me radhë u shmanga nga gjithçka.
Megjithatë, më vonë perspektiva e tij ndryshoi, duke e shtyrë të reflektojë mbi ndikimin që mund të ketë:
Si do ta shfrytëzonte dikush tjetër këtë platformë për të bërë ndryshim në botë? Dhe çfarë do të donte nëna ime të bëja?
Në fund, ai theksoi rëndësinë e shëndetit mendor dhe kërkimit të ndihmës:
Për mua, një nga ndryshimet më të mëdha ka qenë kur kuptova se të kërkosh ndihmë nuk është dobësi, por forcë.
Fjalimi i tij është vlerësuar si një mesazh i fuqishëm për ndërgjegjësimin mbi shëndetin mendor, duke prekur mijëra njerëz në mbarë botën.