Misioni i BE në Shqipëri ka reaguar në lidhje me kalimin e detyrës së drejtuesit të SPAK nga Altin Dumani te Klodian Braho, procedurë q1% u finalizua sot.
Në një postim në “X”, misioni i BE shkruan:
“Përgëzojmë Klodian Brahon, i cili merr detyrën sot si Kryetar i SPAK-ut dhe i urojmë atij çdo sukses në këtë rol të rëndësishëm. Ne gjithashtu përgëzojmë SPAK-un për qëndrueshmërinë e tij përballë presionit politik dhe vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori në largim Altin Dumani, nën udhëheqjen e të cilit SPAK arriti përparim në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe forcoi besimin e publikut në drejtësi. Luftimi i korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe ruajtja e sundimit të ligjit, është një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kryesore dhe një aspekt kyç i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të përmbushin rolet e tyre përkatëse, të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe të bashkëpunojnë plotësisht në sigurimin e llogaridhënies në dobi të të gjithë qytetarëve. Ne mezi presim të vazhdojmë të punojmë me SPAK-un, ndërsa mbështesim Shqipërinë në çdo hap të rrugës drejt BE-së”.
Në një ceremoni në Prokurorinë e Posaçme, Altin Dumani i dorëzoi detyrën e drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Brahos, i cili u emërua me 7 vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Braho do të udhëheqë SPAK-un për tre vitet e ardhshme dhe ka një karrierë të gjatë e të suksesshme në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke trajtuar disa çështje të rëndësishme me ndikim të gjerë publik.
Pas marrjes së detyrës, Klodian Braho vlerësoi paraardhësin Altin Dumanin, për “guximin dhe integritetin”, duke theksuar se misioni i SPAK-ut shkon përtej mandateve individuale e do të punojnë krah për krah për të përmbushur detyrat e rëndësishme që iu janë ngarkuar. Më tej, shtoi se një nga fokuset kryesore do të jetë forcimi i funksionimit të brendshëm të SPAK-ut, për të garantuar hetime të pavarura dhe të drejta. Braho theksoi se nën drejtimin e tij, prokuroria do të vazhdojë të mbrojë integritetin e të angazhohet për të siguruar drejtësi për qytetarët shqiptarë.