Aktualitet Politikë Rajoni

Komisionerja Kos: Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor!

Tiranë, në Pallatin e Brigadave, po zhvillohet samiti me temë “Plani i Rritjes, Rruga jonë drejt BE”-së, ku marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në fjalën e saj, eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi rëndësinë strategjike të rajonit për sigurinë e kontinentit.

Kos u shpreh se Europa “nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor”, duke e cilësuar si një gabim të së kaluarës vonesën në procesin e integrimit të rajonit. Sipas zyrtares, BE-ja duhet të përshpejtojë hapjen e dyerve për vendet aspiruese dhe të forcojë bashkëpunimin institucional.

Tashmë është një çështje me të cilën po punojmë dhe gjithmonë e më shumë kjo çështja ka të bëjë më sigurinë dhe Europa nuk mund te jetë e sigurt pa BP dhe ky është një gabim që kemi bërë në shkuarën e duhet ta korrigjojmë dhe ta rregullojmë.

Ju jeni pjesë e Europës e ne thjesht duhet ta bëjmë këtë edhe në formë institucionale, që ju të bëhen shtet anëtar europian, u shpreh Kos.

Komisionerja nënvizoi se kanë kaluar dy vite nga katër, që prej nisjes së zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, teksa vuri në dukje se ky është momenti i duhur për të vlerësuar progresin. Kos theksoi se dy nga vendet e rajonit ende nuk kanë nisur zbatimin e reformave, ndërsa dy vendet më përparuara kanë realizuar vetëm rreth 50% të reformave të dakorduara.

Sipas Kos-it, ekziston një lidhje e qartë midis ritmit të zbatimit të reformave dhe avancimit në procesin e anëtarësimit.

Kemi mbushur dy vjet që nga fillimi  i zbatimit të Plani i Rritjes për Ballkani Perëndimor, 2 vite nga 4 dhe tani është momenti i duhur për të biseduar. Por, të jemi të sinqertë, dy nga vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat apo zbatimin. Dy më të mirët kanë zbatuar rreth 50% te reformave të dakordësuar e shohim një lidhje shumë të mirë midis avancimit në procesin e anëtarësimit dhe reformave.