Rajoni

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos nis vizitën në Kosovë!

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka mbërritur në Kosovë për takime me udhëheqësit e vendit. Në mëngjes u prit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, para bisedimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Agjenda nuk është bërë e ditur, por javë më parë, Kos njoftonte se do ta vizitonte Kosovën për bisedime lidhur reformat për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kjo është vizita e parë e zyrtares europiane në Kosovë që kur mori detyrën në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.

Prej marrjes së mandatit, ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.

Gjatë vitit 2025, mungesa e vizitës së saj në Kosovë u arsyetua nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale në vend, për shkak të krizës politike që ka shoqëruar Kosovën muajt e fundit.

Një vizitë e Kosit në Prishtinë ishte planifikuar për më 12 mars, por u anulua kur ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, më 6 mars.

Megjithatë, javën e kaluar, burime në Bruksel i thanë Radios Evropa e Lirë se vizita duhet të zhvillohet pavarësisht gjendjes politike, se nuk pritet që të ndryshojë thellësisht në një periudhë të shkurtër.

Në fund të prillit, Kos tha në Parlamentin Evropian se pret të vizitojë së shpejti Kosovën për të folur me udhëheqësit lidhur reformat që lidhen me Planin e Rritjes.

Kemi hequr masat dhe presim që Qeveria të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e BE-së. Së shpejti do të qëndroj në Prishtinë për ta çuar përpara këtë çështje, pati deklaruar eurokomisionerja.