Aktualitet

Kontrolle të befasishme në burgun e Durrësit!

Një kontroll i befasishëm është ushtruar orët e fundit në Burgun e Durrësit, në qelitë të të izoluarve. Paraprakisht informohet se gjatë kontrolleve të kryera në ambiente e qeli, janë sekuestruar të paktën 10 aparate celulari, të cilat dyshohet se përdoreshin nga të burgosurit dhe ishin futur ilegalisht.

Ky aksion i kryer ditën e sotme është ndërmarrë me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga vetë kreu Klevis Qose, në kuadër të luftës kundër futjes dhe përdorimit të sendeve të paligjshme brenda institucionit.

Në një tjetër zhvillim, më herët Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me lëndën plasëse që shpërtheu brenda ambienteve të burgut të Fushë-Krujës. Sipas njoftimit zyrtar, nga hetimet e deritanishme lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, zonë që nuk cënon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve e të paraburgosurve.

Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.

Sipas drejtorisë së Burgjeve, nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.

Grupet hetimore bëri me dije Drejtorisë së Burgjeve ndodhen në ende në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve njofton se “pamjet filmike të sigurisë janë administruar dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor. Gjithashtu, po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorëve”.

Më tej thekson se garanton siguri brenda regjimit të banuar nga të paraburgosurit dhe të dënuarit.