Bota

Koreja e Veriut lëshon raketa lundruese, mes tensioneve në rritje!

Koreja e Veriut sot lëshoi “disa raketa lundruese” në Detin e Verdhë, mes Kinës dhe Gadishullit Korean. Njoftimin e dha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Koresë së Jugut. Provokimi i fundit i Phenianit vjen teksa po rriten shqetësimet lidhur me vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të një ushtari amerikan. Travis King e bëri këtë të martën ndërsa ishte në një vizitë në fshatin kufitar mes dy Koreve, Panmunjom. Në thuajse 5 vjet bëhet amerikani i parë që mbahet në Korenë e Veriut.  Më herët gjatë javës, ai bëri një kalim të paautorizuar në territorin e Koresë së Veriut. Deri tani, regjimi i izoluar komunist ka zgjedhur që të mos reagojë lidhur me incidentin.

Raketat e hedhura sot janë më të fundit në një varg lëshimesh nga Koreja komuniste e vijnë në kohën kur Seuli dhe Uashingtoni po forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Në anën tjetër, marrëdhëniet ndërmjet dy Koreve janë pothuajse në pikën më të ulët të shënuar ndonjëherë, siç raporton AFP.

Hedhja e radhës e raketave lundruese koreano-veriore u regjistrua rreth 04:00-ës së mëngjesit sipas orës lokale. Në njoftimin e Koresë së Jugut thuhet:

Autoritetet koreano-jugore dhe ato amerikane të inteligjencës po i analizojnë këto lëshime, si dhe po mbikëqyrin shenjat e aktiviteteve të tjera.

Koreja e Veriut nuk di të ndalet. Vetëm tre ditë më parë, hodhi dy raketa balistike në det nga bregu i saj lindor për në drejtim të Japonisë.

Diplomacia ndërmjet Phenianit dhe Seulit ka ngecur, ndërsa udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong Un ka bërë thirrje për shtimin e prodhimit të armëve, përfshirë ato bërthamore taktike.

Në kundërpërgjigje, Seuli e Uashingtoni kanë kryer manovra të përbashkëta ushtarake, me avionë të avancuar, të pakapshëm nga radarët, si dhe me mjete strategjike amerikane. Ndër të tjera, këtë javë, një nëndetëse bërthamore amerikane vizitoi një port të Koresë së Jugut, çka ndodhi për herë të parë në dekada.