Danimarka po planifikon të marrë me qira qeli burgu në Kosovë për 300 të burgosur që pritet të dëbohen nga shteti, në përfundim të dënimit të tyre. Në Prishtinë, Ministria e Drejtësisë jep detaje lidhur me këtë marrëveshje në vlerë 210 milion euro.
Të dënuarit, të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. 210 milion euro do të shkojnë edhe në investime, në veçanti për energjinë e ripërtëritshme.
Sipas njoftimit, marrëveshja mes dy palëve lidhur me këtë çështje pritet të arrihet ditën e hënë, më 20 dhjetor të këtij viti, pas vizitës së ministrave danezë në Republikën e Kosovës. Planifikohet që akordi të gjejë zbatim të plotë në një periudhë 10-vjeçare. Projekti, i cili ka për qëllim të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve, gjithashtu synon rritjen e kapacitetit të institucioneve të vuajtjes së dënimit të Danimarkës me 326 vende, mes viteve 2022 dhe 2025.
Në vitin 2020, rreth 350 të burgosur pritej të dëboheshin nga shteti në përfundim të dënimit të tyre. Popullimi i burgjeve në Danimarkë është rritur me 19% nga 2015-a, duke arritur në më shumë se 4 mijë të burgosur, në fillim të 2021-shit, duke tejkaluar 100% të kapacitetit, sipas statistikave zyrtare. Në të njëjtën periudhë, numri i gardianëve u tkurr me 18% në këtë shtet skandinav që numëron 5.8 milion banorë dhe që njihet për burgjet e hapura për të burgosurit me dënime me më pak se pesë vjet.
Ministri i Drejtësisë, Nick Haekkerup:
Do të kemi mungesë për deri në 1 mijë vende, në kapacitetet e burgjeve deri në vitin 2025. Me marrëveshje është rënë dakord që të merren me qira në Kosovë e të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë, për disa qindra vende.
Kosova kishte 1 mijë e 642 të burgosur në vitin 2020, përkatësisht 97% të kapacitetit të saj, sipas Raportit Botëror të Burgjeve të Universitetit të Londrës. Më parë, Norvegjia dhe Belgjika kanë marrë me qira qeli burgu në Holandë.