Rajoni

Kosovë, nis shpërndarja e materialeve zgjedhore për vendoret!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shpërndarjen e materialit zgjedhor për procesin e votimit që do të mbahet nesër.

Në mesin e këtyre materialeve përfshihen edhe fletëvotimet që do të përdoren nga qytetarët në të gjitha komunat e vendit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se materialet zgjedhore po vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit e nga nesër në mëngjes do të shpërndahen në Qendrat e Votimit.

Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shpërndan materialin zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, të cilat do të përdoren në procesin e votimit, më 12 tetor.  Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, në çdo komunë të vendit dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendra të Votimit.

Elezi bëri të ditur gjithashtu se për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale janë printuar mbi 3.6 milion fletëvotime, nga 1.8 milion për çdo lloj zgjedhjesh.

KQZ-ja ka apeluar tek qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të kontribuojnë në një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.