Rajoni

Kosovë, policia konfiskon granata dore, municion dhe të tjera pajisje në veri!

Policia e Kosovës ka konfiskuar granata dore, municion dhe të tjera pajisje ushtarake në fshatin Banjskë, në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Pjesëtarët amerikanë të KFOR-it, hasën në mjete të dyshimta në një mulli të vjetër dhe të braktisur në Banjskë, ku më 2023-shin ndodhi një sulm vdekjeprurës ndaj policisë.

Njësitë policore menjëherë kane reaguar në lidhje me këtë rast, ku më pas kanë konfiskuar mjetet e dyshimta. Konfiskuam uniforma ushtarake, tre gjoksore për mbajtje te armatimit, tre granata dore, tre karikatorë të zbrazët të armës së gjatë, dy shokë bomba, një bombë ndriçuese dhe 28 fishekë të armës së gjatë.

Hera e dytë në rreth një javë që autoritetet kosovare konfiskojnë pajisje ushtarake në veri të vendit. Më 28 shkurt, Policia e Kosovës kreu një aksion në fshatin Rodel të Leposaviçit, ku konfiskoi uniforma ushtarake, armë dhe municion. Sipas zyrtarëve, armët dhe municioni iu takonin pjesëtarëve të organizatës Mbrojtja Civile, e shpallur “terroriste” në Kosovë.

Në fund të shkurtit, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, thanë se konfiskimet në Leposaviç dëshmonin se pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile vazhdojnë të jenë aktivë në territorin e Kosovës. Veriu vijon i tensionuar, sidomos nga 24 shtatori 2023 kur serbë të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një rreshter.

Në luftimet që pasuan u vranë tre pjesëtarë të grupit sulmues. Nga ajo kohë, autoritetet kosovare kanë konfiskuar armatim dhe municion në veri, në raste të ndryshme. Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova fajëson Serbinë, që mohon përfshirjen. Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, në mesin e tyre Milan Radoiçiç, për sulmin e armatosur në Banjskë. Autoritetet në Serbi nuk pranojnë ta ekstradojnë në Kosovë dhe thonë se do të gjykohet nga “gjykatat serbe”. Zyrtarët në Kosovë shprehen se ato i kanë ofruar mbrojtje.