Rajoni

Kosovë, pranga një zyrtari të Listës Serbe!

Në Kosovë, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliç u arrestua sot si i dyshuar për shpërdorim detyre. Shtërpca është një prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër. Nikoliç, nga radhët e Listës Serbe e ka drejtuar që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021. Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Para se t’i bashkohej Listës Serbe në 2013-ën ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Ndaj arrestimit reagoi Lista Serbe:

Dënojmë përdorimin e tepruar të forcës dhe aksionin brutal që u krye në Komunën e Shtërpcës. Veçanërisht shqetësues është fakti se gjatë këtij aksioni, policia ka penguar lëvizjen, hyrjen dhe daljen nga Komuna e Shtërpcës, të njerëzve të thjeshtë, përfshirë edhe ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.

Policia e Kosovës ende nuk ka dalë me detaje rreth operacionit. Ndërkaq, kreu i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha se “kjo është një tentativë tjetër brutale për të frikësuar popullin serb në Kosovë” dhe “një terror i ri i kryeministrit Albin Kurti”.

Kush tjetër u arrestua?

Krahas Nikoliçit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi edhe dhjetë persona në Shtërpcë, mes tyre drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh. Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se “ata dyshohen për veprat penale: korrupsion e shpërdorim detyre”.