Aktualitet Zgjedhjet 2025

Krimet zgjedhore, SPAK-u: Po hetojmë 39 kallëzime!

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK po heton 39 kallëzime për krimet zgjedhore, ku 17 prej tyre janë dërguar për verfikim në polici.

Krimet Zgjedhore – 156 materiale të administruara. 39 materiale kallëzuese kanë kaluar në fazën e hetimit (janë regjistruar si procedime penale). 25 janë vendime për mosfillim të hetimit penal. 24 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore.

17 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë. (për informacion shtesë ose për kryerje të veprimeve të para). Një material është bashkuar me një çështje tjetër ekzistuese. Pjesa e mbetur është në proces verifikimi.

Një natë më parë, Policia e Tiranës reagoi mbi njoftimin e bërë nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili pretendoi se brenda një mjedisi privat që funksiononte si zyrë elektorale, persona të PS-së dhe deputetit Erion Braçe organizonin blerje votash.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshëm.

Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar.

Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, thuhet në njoftim.