Rajoni

Kritikat e Kurtit ndaj Kushtetueses, reagon ambasada gjermane!

Ambasada gjermane në Prishtinë reagoi pas kritikave më të fundit që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i drejtuan gjykatës më të lartë të vendit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, selia diplomatike e Berlinit thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqësorit.

Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ky reagim vjen dy ditë pasi Kurti kritikoi Kushtetuesen për vendimet që ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese ka shprehur shqetësim në lidhje me “deklarimet e pamatura” sipas saj të zyrtarëve të lartë shtetërorë e të zgjedhurve politikë.

Përmes një reagimi, Kushtetuesja tha dje se pavarësia e paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund t’i ndërhyjë në punën që kryen.

Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë, u theksua në reagim.

Sipas gjykatës më të lartë në Kosovë, vendimet e saj bazohen në Kushtetutë, praktika gjyqësore e në standarde ndërkombëtare.