Aktualitet Politikë

Kryeministri Edi Rama sot shpall qeverinë e re, priten me interes emrat!

Sot në orën 11:00 kryeministri Edi Rama mbledh Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpallur qeverinë e re. Asambleja do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe i pari që pritet të flasë është kryesocialisti Edi Rama, i cili do të listojë prioritetet e mandatit të 4-rt dhe ekipin me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029. Në fokus, objektivi madhor i anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri më 2030-ën.

Pas mbledhjes së Asamblesë, mësohet se Rama do të zhvillojë mbledhjen e parë me deputetët që dolën nga vota e qytetarëve më 11 maj.

Edhe pse sidomos në dy javët e fundit ka patur hamendësime emrash për kandidatë potencialë për poste ministrore, Edi Rama ruan ekskluzivitetin e përbërjes së kabinetit të tij të katërt.

Shefi i qeverisë e nisi ditën me postimin:

Mirmëngjes, shihemi në orën 11.

I pari socialistëve ka zhvilluar takime e biseda intensive telefonike lidhur me përbërjen e Këshillit të Ministrave, si edhe kujt do t’i besojë drejtimin e Parlamentit e të grupit parlamentar.

Ndërkaq, nesër deputetët socialistë bashkë me të opozitës do t’i drejtohen Kuvendit për t’u betuar. Edhe pse deputeti më i moshuar, doktor Sali Berisha ka refuzuar të drejtojë seancën e konstituimit. Një tjetër mjek do të ulet në karrigen e kryeparlamentarit për pak orë. Ai është Vasil Lajo, prurje e re në grupit parlamentar socialist.