Aktualitet Politikë Rajoni

Kryeministri Edi Rama uron Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet në Kosovë!

Kryeministri Edi Rama uroi Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të një dite më parë në Kosovë. Rama shkruan:

E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar!

Me rezultatin e siguruar në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit mund të prodhojë 56 deputetë. Për të formuar i qetë qeverinë “Kurti 3”, Kurtit i mjaftojnë 5 ligjvënës nga 10 që kanë pakicat jo serbe.

Me pothuajse të gjitha votat e rregullta të numëruara, partia e Albin Kurtit ka fituar 49.3%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.01, Lidhja Demokratike me 13.59 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.68%. Ndërkaq, Lista Serbe e afërt me Beogradin fitoi 4.74% të votave.

Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”. Sipas tij, rezultati zgjedhor kërkon të ecet përpara, pa vonesa. KQZ-ja deklaroi se procesi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze. Pjesëmarrja ishte 45%.