Aktualitet

Kryeministri Rama poston pankartat nga protestat: Më argëtojnë memet!

Ndërsa vazhdojnë protestat kundër ndërtimit në Zvërnec, kryeministri Edi Rama ironizon mbishkrimet në pankarta. Sot reagoi duke publikuar në llogarinë e tij në Facebook disa prej pankartave më kreative të përdorura gjatë protestave, duke i shoqëruar me një shkrim me nota ironie.

Rama i cilësoi pankartat si “argëtuese” dhe përgëzoi autorët për kreativitetin e tyre, duke theksuar se pavarësisht kritikave, ai e vlerëson humorin dhe idetë e shprehura përmes tyre.

RROFTË MEMEMANIA

Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove

Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falenderime autorëve, ndërkohë që më vjen keq vërtetë, që disa të preferuara të tjera nuk i postoj këtu dot se janë shumë të nxehta dhe kot melazëm na krijohen keqkuptime të reja, a thua s’na mjaftojnë këto që kemi për rreziqet imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë.