Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot mblidhet për të diskutuar hapat e mëtejshëm për funksionimin e institucionit ligjvënës, edhe pse ende nuk dihet se kush do të marrë pjesë. Mbledhja u thirr të shtunën nga kryetari Dimal Basha, i cili e shpalli të përfunduar seancën e konstituimit, ndonëse nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Në tri vazhdime të seancës, kandidatët e këtij komuniteti nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit, seanca e konstituimit përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve. Në nenin 67 të Kushtetutës thuhet se Kuvendi duhet të ketë kryetarin dhe pesë nënkryetarë. Katër nënkryetarë: tre nga komuniteti shqiptar dhe një nga pakicat joserbe u zgjodhën më 26 gusht, bashkë me kryetarin.
Ndërkohë, të nëntë kandidatët e Listës Serbe dhe ai i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dështuan të marrin votat e mjaftueshme. Basha deklaroi se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e nënkryetarit serb janë shteruar, ndaj seanca e konstituimit konsiderohet e mbyllur.
Qëndrimin ia mbështetën edhe nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, duke kërkuar që tani vendi të kalojë në fazën e formimit të qeverisë së re. Por, partitë ish-opozitare e kundërshtuan këtë vendim, duke argumentuar se Kuvendi nuk është ende i konstituuar, pasi Kryesia nuk është zgjedhur në përbërjen e saj të plotë kushtetuese.
Disa ekspertë ligjorë paralajmëruan se situata mund ta çojë vendin drejt një krize të re kushtetuese. Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Çështja përfundoi edhe në Gjykatën Kushtetuese, që nxori dy aktgjykime me afate e udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit. Afati i parë nuk u respektua, i dyti përfundon më 18 shtator.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka detyrimin ligjor të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, iu bëri thirrje forcave politike të gjejnë një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më shpejt që të jetë e mundur. Osmani nuk e komentoi vendimin e Bashës për ta shpallur të mbyllur seancën e konstituimit.