Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha e shpalli “të mbyllur” seancën konstituive, pavarësisht se sot parlamenti dështoi të zgjedhë nënkryetarin nga komuniteti joshumicë serb.
Dy deputetë e Listës Serbe Miljana Nikoliç dhe Igor Simiç nuk morën asnjë votë në tri raunde pasi u hodhën në votim përmes shortit nga kryetari Basha. As deputeti tjetër nga ky komunitet, Nenad Rashiç, nuk arriti të zgjidhej. Ai mori 56 vota pro, pesë më pak se të paktën 61 të nevojshmet.
Dështimi për të zgjedhur njërin nga deputetët e hedhur në votim nënkupton se Kuvendi nuk ka më askënd nga komuniteti joshumicë serb për ta votuar për nënkryetar. Ditë më parë, parlamenti zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarë.
Kryetari Basha theksoi se seanca konstituive “mbyllet këtu”, megjithëse Rregullorja e punës së Kuvendit thotë se seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë në lidhje me nënkryetarin që vjen nga pakica serbe, prandaj, në këtë rast, konsiderojë se e kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës, konsideroj se kjo seancë konstituive është e mbyllur, tha Basha.
Basha thirri një mbledhje të kryesisë së Kuvendit për të hënën e 1 shtatorit.
Në emër të funksionalizimit të Kuvendit dhe materializimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, konsiderojnë se moszgjidhja e njërit prej gjashtë anëtarëve të kryesisë së Kuvendit nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit, theksoi Basha.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, fituesen e zgjedhjeve të muajit shkurt, Kuvendi i Kosovës “është konstituuar, por ky qëndrim i tyre është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare dhe nga ekspertë ligjorë.
Dy deputetë të LVV-së, Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiu, thanë pas seancës se vendi tani duhet të vazhdojë me formimin e Qeverisë së re.
Situata është kushtetuese, sepse kemi shterur të gjitha mundësitë. Janë tentuar të gjithë kandidatët, dhe asnjë nuk ka marrë votat. Në situatë të tillë nuk mund të bllokohet vendi. Të vijmë te situata e mandatarit, pastaj shohim. Të vazhdohet me institucionet, krijimin e tyre. A i kemi numrat do ta shihni në seancën kur votohet Qeveria, deklaroi Murati.
Haxhiu theksoi se “është e rëndësishme të ecim përpara me kryesinë, kryetarin dhe nënkryetarët e zgjedhur, jemi të interesuar të ecim përpara ose me Qeverinë e re, ose me zgjedhje”.
Ndërkaq, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vuri në dukje se seanca e konstituimit nuk mund të konsiderohet e përmbyllur pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.