Për 20 minuta, kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, sot u paraqit në SPAK. Në dalje, nuk pranoi të fliste për gazetarët, duke u shprehur shkurtimisht:
Kur të flasë drejtësia.
Hera e dytë që Bufi thirret në mjediset e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas majit të vitit të kaluar lidhur me vendoret e majit 2023. Në SPAK u kallëzua nga PD-ja për “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Referuar kallëzimit, “me dashje dhe personalisht, gjatë fushatës zgjedhore, Bufi kreu shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike për t’i penguar të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione e shantazhe”.
Ndërkaq, në mars të këtij viti, demokrati Gazment Bardhi pati deklaruar se po përgatit një kallëzim penal ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi.
Shpërndarja e lejeve të legalizimit dhe certifikatave të pronësisë është në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal, dhe meriton ndëshkim shembullor nga organet ligjzbatuese. Por, sic duket për Belinda Ballukun dhe anëtarët e bandës elektorale të saj nuk vepron as ligji e as drejtësia.
Përndryshe si mund të shpjegohet që të gjitha zyrtarët e shtetit në qarkun e Fierit kanë braktisur detyrën dhe shërbimin ndaj qytetarëve, duke u vënë tërësisht nën shërbimin e bandës elektorale, dhe gjithë këtë e bëjnë ditën për diell, pa u shqetësuar se shkelin ligjin dhe konsumojnë haptazi vepra penalisht të dënueshme.