Familja Kardashian/Jenner vazhdon të shndërrojë çdo bashkëpunim me markat globale në një lëvizje të mirëmenduar biznesi. Nga Kim Kardashian te Kylie Jenner dhe Kendall Jenner, kontratat me gjigantët e modës dhe sportit janë bërë pjesë thelbësore e identitetit të tyre publik.
Në vitet e fundit, pothuajse i gjithë klani ishte i lidhur me Adidas, veçanërisht gjatë periudhës kur Kim ishte në një marrëdhënie me Kanye West.
Por pas ndarjes së tyre dhe ndërprerjes së bashkëpunimit mes artistit (tashmë i njohur si Ye) dhe markës gjermane, Kim ndryshoi drejtim, duke bashkuar forcat me Nike për të lançuar linjën NikeSKIMS.
Megjithatë, ndryshe nga motra e saj, duket se për Kendall Jenner, adidas mbetet zgjedhja e preferuar. Marka gjermane ka konfirmuar zyrtarisht një marrëveshje të re me supermodelen, duke e rikthyer atë në familjen ikonike të “Three Stripes”.
Pak ditë para njoftimit, Kendall u fotografua në Los Angeles e veshur me një xhaketë adidas dhe atlete Superstar, një detaj që në fillim kaloi pa shumë zhurmë, por që tani shihet si një sinjal i qartë i rikthimit.
Ajo ka qenë më parë ambasadore e markës në vitin 2017, duke marrë pjesë në disa fushata të rëndësishme dhe duke promovuar vazhdimisht produktet e saj.
Edhe pse detajet financiare dhe kreative të marrëveshjes së re nuk janë bërë ende publike, burime nga industria presin që Kendall të jetë fytyra e fushatave të ardhshme dhe ndoshta pjesë e projekteve ekskluzive.
Rikthimi i saj te adidas konsiderohet një lëvizje strategjike që forcon pozicionin e markës në kulturën pop, dhe njëkohësisht rihap “garën” e heshtur mes Nike dhe adidas brenda vetë familjes Kardashian/Jenner.