Aktualitet

Ku fitohet më shumë nga qiradhënia ditore, nuk është Tirana!

Tirana është porta hyrëse e vendit, si dhe ndalesa e parë pothuajse për çdo vizitor. Durrësi, vetëm pak minuta larg kryeqytetit, i josh turistët me detin, restorantet dhe atmosferën verore.

Vlora dhe, mbi të gjitha, Saranda me Ksamilin, shpesh të quajtur “Maldivet e Europës”, kanë dalë prej kohësh nga harta lokale dhe janë kthyer në emra të njohur në mediat e huaja.

Gjirokastra dhe Berati tërheqin me gurin, historinë dhe arkitekturën e rrallë, Korça me natyrën dhe ritmin e qetë të jetës, ndërsa Shkodra po shfaqet së fundmi si një trend i ri për udhëtarët që kërkojnë përvoja ndryshe.

Në këtë mozaik destinacionesh, “gara” mes qyteteve për vëmendjen e turistëve është bërë më e fortë, duke hapur njëkohësisht edhe më shumë hapësirë për biznes.

Banorë të shumtë kanë liruar banesat për t’i kthyer në burim të ardhurash nga qiraja, ndërsa të tjerë kanë investuar duke marrë ambiente me qira dhe duke i shndërruar në struktura akomoduese, në përpjekje për të përfituar nga vala turistike.

Sipas të dhënave të AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, të bëra të disponueshme për “Monitor”, nga 26.3 mijë njësi banuese që ishin të listuara për t’u dhënë me qira, pjesa më e madhe e tyre, rreth 39% ishin në segmentin e Vlorë-Sarandës, me 10.2 mijë njësi.

Në vend të dytë është Tirana, me 20%, ose 5.2 mijë apartamente. Vendin e tretë e zë Durrësi, së bashku me Golemin, me rreth 19% (3.8 mijë njësi në Durrës dhe 1.3 mijë në Golem).

Në vend të katërt, Shkodra, që po bëhet një destinacion gjithnjë e në rritje, me 1.2 mijë apartamente që jepeshin me qira ditore mesatarisht në 2025-n, ose 4.7% e totalit.

Kryeqyteti arrin të konkurrojë për numër turistësh, por jo për çmimet e qirave ditore. Të dhënat e AirDNA tregojnë se e ardhura në një ditë është më e ulëta nga destinacionet e tjera të preferuara.

Në kryeqytet, çmimi mesatar për një natë është 42.4 euro, ndërsa fitimi neto është 25 euro. Më i larti është në zonën Vlorë – Sarandë, duke arritur deri në 66 euro, me fitim neto 37.5 euro.

Edhe Golemi e Durrësi janë bërë konkurrues me përkatësisht 68.1 euro (neto 34.2 euro) dhe 62.4 euro (neto 33.6 euro)./Monitor