Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar datën e zhvillimit të takimeve të dyta gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku do të vendosen dy ekipet finaliste që do të përballen më 1 maj.
Të dyja ndeshjet, Partizani – Egnatia dhe Dinamo City – Vllaznia, do të luhen të mërkurën, më 23 prill, në orën 19:00.
Në “Arenën e Demave” do të zhvillohet sfida Partizani – Egnatia. Të kuqtë kanë hedhur një hap të sigurt drejt finales, pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë të luajtur në “Egnatia Arena”. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur në këtë përballje.
Sot Partizani dhe Egnatia janë rivalet më të forta të njëra tjetrës prej dy vitesh. Gjithçka nisi parvjet në Superkupë, ku Partizani arriti të fitojë trofeun honorifik kundër rrogozhinasve në finale. Skuadra e Tetovës mori revanshin në fund të sezonit të vjetshëm me një fitore gjigante me gol të Ibrahimoglu, duke bërë të vetin titullin e parë kampion në finalen e madhe të Superiores.
Rivaliteti vazhdon edhe në këtë sezon dhe, kur po i afrohemi fundit, gjithçka arrin kulmin. E thotë fusha, e thonë specialistët, e thonë shifrat. Egnatia është skuadra për t’u mundur edhe në këtë sezon. Ekipi i Tetovës po e mban kreun pa shumë vështirësi dhe duke menaxhuar edhe forcat e saj për fundin e sezonit. Me cilësitë që ka dhe kushtet që këtij ekipi i janë ofruar, Egnatia po synon të ndërtojë një cikël të gjatë fitues. Pas tripletës së vjetshme rrogozhinasit do të kërkojnë ta përsërisin këtë sukses, që kalon sërish nga… Partizani.
Për Partizanin e këtij sezoni, plot vështirësi, ndryshime e ndalesa, edhe Kupa do të ishte një sukses që do t’i kënaqte jo pak drejtuesit. Gjithashtu, edhe tifozët do të ngushëlloheshin me një trofe, që mungon prej plot 21 vitesh. Përveçse një objektiv, për Partizanin, Kupa është edhe një mallkim i madh për tu thyer. Përpara ka rivalin më të fortë në letër dhe Gegës i duhet të gjejë formulën fituese, ndoshta duhet të bëjë një “shpikje” të madhe.
Takimi tjetër gjysmëfinal, Dinamo City – Vllaznia, do të luhet në “Elbasan Arena”. Ndeshja e parë është mbyllur në barazim pa gola (0-0), çka e bën këtë sfidë vendimtare për kualifikimin në finalen e madhe.