Kupat menstruale janë një alternativë ekologjike dhe praktike për menaxhimin e menstruacioneve, të cilat mund të qëndrojnë brenda trupit për orë të gjata duke ofruar rehati dhe siguri. Megjithatë, përdorimi i tyre kërkon kujdes për të shmangur komplikacionet shëndetësore.
Sipas ekspertëve, kupat menstruale prej silikoni mund të mbahen deri në 12 orë, ndërsa ato prej materialeve të tjera kërkojnë heqje më të shpeshtë.
Mbajtja e zgjatur mbi këtë kohë rrit rrezikun për infeksione, përfshirë edhe sindromën e shokut toksik (TSS), një gjendje serioze por e rrallë.
Në rast se harroni të hiqni kupën menstruale në kohën e duhur, duhet ta nxirrni menjëherë, ta pastroni me ujë të ngrohtë dhe sapun të butë antibakterial, dhe ta sterilizoni duke e zier në ujë të valë për disa minuta ose me ndihmën e kutive speciale për sterilizim.
Për të shmangur harresat, rekomandohet përdorimi i kujtesave në telefon ose aplikacioneve për menaxhimin e menstruacioneve.
Gjithashtu, pas çdo cikli duhet bërë pastrim i thellë dhe kontrolli i kupës për dëmtime, të cilat nëse vihen re, duhet zëvendësuar menjëherë.
Nëse gjatë përdorimit shfaqen simptoma si dhimbje të forta, ethe, shkarkime të dyshimta apo irritime, është e rëndësishme që të konsultoheni menjëherë me mjekun.
Kupat menstruale janë një opsion më ekologjik dhe më i rehathshëm në krahasim me tamponët dhe peshqirët higjenikë, por përdorimi i tyre i sigurt kërkon kujdes dhe respektim të rregullave të higjienës dhe kohës së heqjes.
Për të përfituar nga avantazhet e kupës menstruale pa rrezikuar shëndetin, ndiqni me përpikëri këshillat për përdorim, pastrim dhe monitorim të simptomave.