Rajoni

Kurti sinjalizon gatishmërinë për diskutime për presidentin, Osmani anulon Mynihun!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Mynih, konfirmoi Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Si arsye për anulimin e vizitës janë përmendur angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit.

Konferenca e Sigurisë në Mynih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Konsiderohet konferencë e njohur, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.

Paraprakisht ishte raportuar se përveç Osmanit, në këtë konferencë do të merrnin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Në nivel botëror, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.

Vendimi i marrë nga Osmani vjen një ditë pasi Kosova është bërë me qeveri të re me drejtues Albin Kurtin. Ekzekutivi u zgjodh dje, në të njëjtën ditë që është konstituuar Kuvendi i Kosovës.

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 vende në parlament.

Ndër prioritetet kryesore të qeverisë, në ditët e para është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova me BE-në dhe Bankën Botërore. Të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në mbledhjen e mbajtur paraditen e sotme se pas votimit të buxhetit të shtetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë fokusi kthehet te çështja e pozitës së presidentit.

Sa të përfundohen këto [marrëveshjet], jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thënë hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit. Ende nuk dihet nëse emri i saj do të propozohet në Kuvend e nëse do t’i ketë votat e nevojshme.

Një kandidat duhet të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy raundet e para, një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, presidentja Osmani ka thënë se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.