Lifestyle

Kush janë ‘mamatë bajame’, dhe ja arsyet pse u bëjnë dëm fëmijëve!

Nëse keni një profil në TikTok, ka shumë mundësi që të keni hasur hashtagun almond mom. Edhe nëse jo, ndoshta e keni dëgjuar këtë term, i cili u bë viral falë një videoje të para disa viteve, që ndihmoi në përshkrimin e një fenomeni të njohur për shumë njerëz: prindërit (më shpesh nënat, por jo vetëm) që kanë dhe transmetojnë një marrëdhënie të gabuar me ushqimin.

Kush janë “almond moms”?

Një almond mom (“mama bajame”) është një nënë e ndikuar nga kultura e dietave, e fiksuar pas ushqimit të shëndetshëm, fitnesit dhe imazhit trupor si të vetes, ashtu edhe të fëmijëve të saj.

Përdoret termi “nënë” sepse shpesh kultura e lidh përgatitjen e ushqimit dhe kujdesin për shëndetin e familjes me figurën e nënës. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky fenomen nuk lidhet domosdoshmërisht me gjininë dhe se edhe babai mund të ketë të njëjtin ndikim.

Si u bë trend në TikTok?

Hashtagu #almondmom u bë viral kur u rikthye në internet një klip i vjetër nga reality shoë-i The Real Housewives of Beverly Hills, ku një e re Gigi Hadid i thoshte nënës së saj, Yolanda Hadid, se ndihej e dobët pasi kishte ngrënë vetëm gjysmë bajame. Përgjigjja e nënës ishte: “Ha disa bajame dhe përtypi mirë.”

Yolanda Hadid më vonë deklaroi se klipi ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe madje bëri edhe një video ironike në TikTok ku shfaqej duke ngrënë bajame. Megjithatë, trendi vazhdoi të rritej dhe sot hashtagu ka mbi 300 milionë shikime, me mijëra komente mbi presionin shoqëror për të qenë i dobët me çdo kusht.

Në platformë, termi përdoret për të përshkruar një prind që transmeton tek fëmijët ide jo të shëndetshme rreth ushqimit ose zakone të çrregullta ushqimore.

Pasojat dhe rreziqet

Ndikimi i prindërve është shumë i rëndësishëm në mënyrën si fëmijët e shohin trupin dhe ushqimin. Shqetësimi kryesor është që një “almond mom” mund të çojë në marrëdhënie jo të shëndetshme me ushqimin, madje edhe në çrregullime të të ngrënit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk është vetëm roli i nënës ai që ndikon. Sipas autores Virginia Sole-Smith, çrregullimet ushqimore kanë shumë shkaqe: faktorë gjenetikë, mjedisorë dhe socialë dhe çdo prind mund të ndikojë pozitivisht ose negativisht.

Edhe dietologia Maya Feller thekson se mënyra si familja e trajton ushqimin formon perceptimin e fëmijëve, pavarësisht gjinisë së prindit.

Si të mos bëhesh një “almond mom”

Sipas ekspertëve, mënyra më e mirë për të rritur fëmijë me marrëdhënie të shëndetshme me ushqimin është krijimi i një ambienti të sigurt në shtëpi, ku trupat respektohen dhe ushqimet nuk demonizohen.

Prindërit duhet të inkurajojnë lëvizjen për mirëqenie, jo për pamje fizike dhe të flasin hapur me fëmijët për mesazhet që marrin nga rrjetet sociale.

Strategjia më e mirë mbetet shembulli personal. Ekspertët rekomandojnë një qasje neutrale ndaj ushqimit pa e përdorur si shpërblim apo ndëshkim, sepse në fund, ushqimi është thjesht ushqim.