Aktorja e njohur nga filmi High School Musical, Ashley Tisdale, ka reaguar publikisht për të sqaruar një keqkuptim që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke mohuar kategorikisht përfshirjen e disa emrave të njohur në atë që u interpretua si një “grup toksik”.
Përmes një deklarate, Tisdale theksoi se shoqet e saj të famshme Mandy Moore, Hilary Duff dhe Meghan Trainor nuk kanë qenë pjesë e asnjë rrethi që e ka përjashtuar apo lënduar emocionalisht, duke i quajtur spekulimet “të pasakta dhe të padrejta”.

Debati shpërtheu javën e kaluar, pasi Ashley publikoi një shkrim personal në The Cut, me titullin
Ndarja me grupin tim toksik të nënave
Në artikull, ajo rrëfente përvojën e saj brenda një rrethi shoqëror ku fillimisht ishte ndier e mirëpritur dhe e frymëzuar nga gratë e suksesshme që e përbënin, por që me kalimin e kohës nisi të ndjente distancim dhe përjashtim.
Rrëfimi personal u interpretua nga shumë ndjekës si një aludim i drejtpërdrejtë për shoqet e saj të famshme, çka ndezi diskutime të shumta online dhe krijoi një valë spekulimesh.
Aktorja, tashmë me mbiemrin e bashkëshortit French, sqaroi se artikulli i saj nuk kishte për qëllim të sulmonte individë të caktuar apo të krijonte përçarje mes figurave publike.
Ajo tregoi se fillimisht ishte përpjekur ta justifikonte situatën, duke menduar se të gjithë ishin thjesht të zënë me jetën dhe angazhimet personale.
Megjithatë, një moment reflektimi gjatë një mbrëmjeje familjare e bëri të përballej me ndjenja të forta pasigurie.
Ndoshta nuk jam aq ‘cool’ sa duhet
-shkroi ajo, duke e krahasuar këtë përvojë me vitet e adoleshencës, kur ndjehej e lënë jashtë dhe e pavlerësuar.
Ashley Tisdale theksoi se qëllimi i vërtetë i shkrimit ishte të nxirrte në pah një realitet me të cilin përballen shumë gra dhe nëna: përjashtimin shoqëror dhe ndikimin e tij në shëndetin mendor. Ajo nënvizoi se edhe personat publikë, pavarësisht famës, përjetojnë pasiguri, ndjenja vetmie dhe presion social.
Me këtë reagim, aktorja kërkoi që historia e saj të shihet si një reflektim personal dhe një thirrje për më shumë empati, e jo si një akuzë ndaj emrave të njohur të showbiz-it.