Aktualitet Politikë

Kuvendi, Balla-Berishës: Dhëndër i Serbisë/Berisha: Kryeministri, shërbëtor i Vuçiçit!

Sot në Kuvend, socialistët rrëzuan kërkesën e parë të opozitës, për mocion me debat lidhur me programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme. 73 deputetë votuan kundër. Nga foltorja, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla deklaroi sot se  kërkesat e PD-së përfshijnë qindra çështje, por se problemi më i madh i tyre është se janë të cunguara qëllimisht për të mos lejuar një jetë normale parlamentare.

Edhe kërkesa e PD-së për mocion me debat të finalizuar me rezolutë për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë ka nxitur debate e diskutime në seancë plenare. Balla deklaroi se asnjë kërkesë që mban firmën e kryedemokratit Sali Berisha e që lidhet me Kosovën nuk ka prapravijë pozitive.

Me ironi, Berishën e quajti “dhëndër të mirë të Serbisë”. Sipas tij, vendimi i demokratëve për bojkotimin e protestës është konfirmim i veprimeve kundër interesit të Kosovës.

Asgjë që vjen nga Berisha e kur lidhet me Kosovën nuk ka për të ardhur kurrë ndonjëherë për mirë. Vendimi i PD-së i bërë publik dje për të bojkotuar protestën e nesërme në mbështetje të UÇK-së është konfirmimi i qëndrimeve dhe veprimeve kundër interesit të Kosovës. Meqë thatë se s’doni të jeni krah nesh e kryeministrit, kryeministri s’do të jetë nesër. Pse nuk vini? Me kushtin që të mos e politizojmë.

Bëni nesër një protestë meqë s’doni të vini me organizatat e veteranëve të luftës së UÇK-së. Bëni një në SHQUP ose në një shesh tjetër dhe në këtë rast do t’ju vijnë më shumë, se kjo është një çështje që na bashkon, një komb, një qëndrim.

Sali Berisha tha se Shqipëria duhet ta kishte miratuar menjëherë rezolutën e Kosovës për njohjen e gjenocidit serb.

Gjatë viteve 1998-1999, forcat barbare serbe kryen në Kosovë maskara ndaj popullsisë së pambrojtur. Ata që kanë shkelur mbi gjakun, sakrificën e tyre të këtij gjenocidi të tmerrshëm, ata nuk janë njerëz e jo më shqiptarë. Ata janë në nivelin e primitivëve të njeriut, atë të kafshës, por ju të tillë nuk mund ta paraqisni veten.

Ne duhet të adaptonim menjëherë rezolutën e Kosovës për gjenocidin. Të mohosh gjenocidin në Kosovë do të thotë të jesh një qenie pa ndërgjegje njerëzore, shoqërore, kombëtare. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti.

Kryetari demokrat theksoi se ndaj gjenocidit serb duhet reaguar me unitet kombëtar, ndërsa akuzoi PS-në se po shkel mbi këtë gjenocid, se sipas tij, Rama “është një shërbëtor i Vuçiçit”.

A mundet një shqiptar të shkelmojë mbi këto të dhëna ndaj gjenocidit? E bëni këtë se kreu juaj është një shërbëtor i Vuçiçit. Ndaj gjenocidit duhet të reagoni! Si jeni kaq të pandjeshëm ndaj një çështjeje më thelbësore në ndërgjegjen e njeriut dhe ndërgjegjen kombëtare?