Kuvendi sot mban seancën plenare të radhës, duke nisur nga ora 10:00. Në rendin e ditës përfshihen disa çështje të rëndësishme, mes të cilave rishikimi i buxhetit të vitit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Penal. Deputetët do të shqyrtojnë Aktin Normativ nr. 11, që parashikon rialokime financiare në disa sektorë prioritarë.
Konkretisht, parashikohet shtimi i 15 miliardë lekëve për skemën e pensioneve, 2 miliardë lekë për bujqësinë, 1.8 miliardë lekë për shëndetësinë, kryesisht për furnizimin e spitaleve me barna, si dhe 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive.
Në këtë seancë do të diskutohet edhe rishikimi i Kodit Penal, i cili parashikon dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët dhe masa mbrojtëse për ta, duke ndëshkuar kërcënimet e dhunën ndaj përfaqësuesve të medias. Po ashtu, ndryshimet do të përfshijnë ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet e paligjshme, zjarrvënien dhe parkimin e dyfishtë.
Ndër të tjera, në rendin e ditës janë përfshirë projektligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, mes tyre bashkëpunimi strategjik me Italinë në fushat e shëndetësisë, energjisë, mjedisit e migracionit, si dhe aderimi i Shqipërisë në traktate që lidhen me pronësinë intelektuale dhe luftën kundër tregtisë së paligjshme.
Seanca do të përfshijë edhe ndryshime në legjislacionin e drejtësisë në parandalimin e dhunës ndaj grave e dhunës në familje, si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.