Në Britaninë e Madhe kanë nisur konsultimet që do të shqyrtojnë qëllimet e rritjes së shitjes së automjeteve elektrike (EV) për industrinë e automobilave, tha ministrja e Financave Rachel Reeves. “Ne duam që njerëzit të blejnë automjete elektrike, por duam gjithashtu të mbajmë vende pune dhe investime në Britani”-theksoi ajo. Industria britanike e makinave ka paralajmëruar më parë se vendosja e objektivave të shitjeve për automjetet elektrike mund të çojë në mbylljen e fabrikave dhe humbjen e vendeve të punës. Ritmi i tranzicionit në EV-të miqësore me klimën po ka efekte negative në tregun e makinave dhe në tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar për investitorët, paralajmëroi Shoqata e Prodhuesve të Motorëve (SMMT) javën e kaluar.
Objektivi i përgjithshëm i vitit 2030 për të ndaluar shitjen e makinave të reja me benzinë dhe naftë mbetet në fuqi. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030, 23 milionë njerëz në botë do të bëhen pronarë të makinave elektrike. General Motors ka njoftuar planet për të ndaluar shitjen e automjeteve me benzinë deri në vitin 2035. Synimi i Audi është të mbyllë prodhimin e tyre deri në vitin 2033 dhe shumë kompani të tjera të mëdha makinash po ndjekin shembullin ose e kanë shpallur këtë. Deri në vitin 2040, dy të tretat e shitjeve globale të makinave të pasagjerëve do të jenë automjete elektrike.
Aktualisht, automjetet elektrike dhe bateritë zakonisht përdorin përbërje litium-jon për ruajtjen e energjisë, të cilat janë të vështira për t’u ricikluar. Ndërsa bota përpiqet të elektrizojë automjetet dhe të ruajë energjinë e rinovueshme, lind një pyetje kryesore: çfarë do të ndodhë me të gjitha bateritë e vjetra të litiumit? Deri në vitin 2040, 5,750,000 ton prej tyre do të dekomisionohen. Kjo është arsyeja pse është jashtëzakonisht e rëndësishme të përmirësohen teknologjitë dhe të rritet kapaciteti për riciklimin e baterive që kanë shteruar burimet e tyre.