Homazhe në nder të regjisorit të njohur, Dhimitër Anagnosti. Familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë, figura të shumta të artit, kinemasë e politikës po nderojnë ikonën e filmit. Homazhet po mbahen në Hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa nesër përcillet për në banesën e fundit, në vendin e lindjes, në Vuno të Himarës.
Ndërkohë Këshilli i Ministrave ka shpallur ditë zie kombëtare të sotmen e flamujt janë në gjysmështizë, në nderim të regjisorit të shquar.
Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.
Realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike e psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.