Celebrities

Lamtumirë legjendës së “The Wire”! Ndërron jetë në moshën 71-vjeçare aktori Isiah Whitlock Jr!

Aktori amerikan Isiah Whitlock Jr, i njohur gjerësisht për rolin ikonik të politikanit të korruptuar Clay Davis në serialin kult të HBO-së The Wire, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga menaxheri i tij, Brian Liebman, përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.

Me trishtim të madh ndaj lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe klientit tim të dashur, Isiah Whitlock Jr. Nëse e njihje, e doje. Një aktor i shkëlqyer dhe një njeri edhe më i mirë

-shkroi Liebman.

Whitlock u bë i paharrueshëm për publikun falë rolit të Clay Davis, personazh që mbeti në histori për frazën e tij karakteristike “sheeeee-it”, në serialin e bazuar në ngjarje reale për krimin dhe drogën në Baltimore, krijuar nga ish-gazetari David Simon.

Gjatë një karriere të pasur me mbi 125 role, ai u shfaq në disa nga filmat më të rëndësishëm të regjisorit Spike Lee, përfshirë She Hate Me, 25th Hour, Chi-Raq, BlacKkKlansman dhe Da 5 Bloods.

Spike Lee e nderoi aktorin me një postim prekës, duke e quajtur “vëlla i dashur i zemrës sime”.

Përveç The Wire, Whitlock u dallua edhe në serialin satirik Veep, ku interpretoi sekretarin amerikan të Mbrojtjes, duke treguar edhe anën e tij të fortë në komedi politike.

David Simon dhe bashkëpunëtorët e tij e përshkruan Whitlock si një profesionist të jashtëzakonshëm dhe një njeri me zemër të madhe. Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në botën e televizionit dhe kinemasë amerikane.