Showbiz

Legjenda e muzikës heavy metal ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare, familja jep deklaratën e saj!

Bota e muzikës ka humbur një nga figurat më të mëdha të saj. Ozzy Osbourne, ikona e muzikës heavy metal dhe ish-vokalisti i grupit legjendar Black Sabbath, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një njoftimi zyrtar, ku u tha se artisti ndërroi jetë i qetë, i rrethuar nga të afërmit.

Me një trishtim të thellë ju njoftojmë se i dashuri ynë Ozzy Osbourne ndërroi jetë këtë mëngjes. Ai ishte pranë familjes së tij dhe i mbuluar me dashuri. Ju lutemi të respektoni privatësinë tonë në këtë moment të dhimbshëm

-thuhet në deklaratën e familjes.

Osbourne ishte i martuar me Sharon Osbourne që nga viti 1982 dhe së bashku kishin tre fëmijë. Prej disa vitesh ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit.

Vetëm disa javë më parë, ai u ngjit për herë të fundit në skenë në një koncert lamtumire emocional në Villa Park, Birmingham, ku u ribashkua me anëtarët e Black Sabbath.

Në atë performancë të paharrueshme, Osbourne u përkul para publikut të tij teksa ishte ulur në një fron, ndërsa emra të mëdhenj të skenës si Metallica dhe Guns N’ Roses i bënë homazh duke interpretuar disa nga hitet më të njohura të grupit.

Faleminderit nga thellësia e zemrës sime

-u shpreh ai mes lotëve para mijëra fansave që i rezervuan një duartrokitje të gjatë në nder të një jete të tërë të përkushtuar ndaj muzikës.

Ozzy Osbourne do të kujtohet përgjithmonë si një pionier i muzikës heavy metal, një figurë ikonike që ndikoi brez pas brezi në industrinë e muzikës.