Lenny Kravitz ka zbuluar pse prej vitesh zgjedh të stërvitet në palestër me pantallonat e tij ikonike prej lëkure, një zakon që ka habitur shpesh fansat.
Në një intervistë për revistën “Men’s Health”, muzikanti i njohur shpjegoi se veshjet që përdor në skenë janë shpesh të njëjtat me të cilat ushtron, pasi dëshiron të jetë gjithmonë gati për një stërvitje, pavarësisht vendit apo momentit.
Sipas tij, pantallonat prej lëkure janë bërë edhe një mënyrë për të kontrolluar gjendjen e tij fizike.
Nëse pantallonat më rrinë pak ngushtë, e di se po dal nga forma. Siç thotë miku im Denzel Washington: ‘Pantallonat nuk gënjejnë’
-u shpreh Kravitz.
Këngëtari theksoi se nuk synon të ndërtojë një trup shumë muskuloz, por preferon një fizik të hollë, atletik dhe funksional, duke përmendur si frymëzim Bruce Lee dhe personazhin Spider-Man.
Ai nënvizoi gjithashtu se rezultatet i arrin në mënyrë krejtësisht natyrale, pa përdorur peptide, hormone të rritjes apo testosteron.
Sipas Kravitz, një trup në formë mund të arrihet me disiplinë, stërvitje të vazhdueshme dhe ushqim të shëndetshëm, edhe pse kjo kërkon kohë dhe përkushtim.
Artisti ka folur edhe më herët për këtë zakon, duke sqaruar se pantallonat e lëkurës ose xhinset nuk e pengojnë gjatë ushtrimeve me pesha, pasi nuk djersitet shumë, ndërsa për seancat kardio zgjedh gjithmonë veshje sportive më të përshtatshme.