Në rubrikën e rikthyer “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama tregoi arsyen e nisjes së aksionit për lirimin e hapësirave publike, si dhe theksoi se synimi është të krijohet një balancë mes interesit të qytetarëve për të pasur hapësirat publike të lira dhe nevojës së bizneseve për shërbim jashtë. Ndërkaq, nënvizoi se nuk do të tolerohet më transformimi i hapësirave të përbashkëta në zaptime që përjashtojnë komunitetin nga përdorimi i territorit të përbashkët.
Deputetët e PS-së kanë qenë në terren për t’u takuar me komunitetin. Kemi riorganizuar tërësisht veten në Tiranë, duke vendosur deputetët në pozicion edhe më kërkues, sa i përket identifikimit të problemeve në territoret e kujdestarisë së tyre. Në të katër anët, ka qenë e qartë kërkesa e komunitetit: na çlironi hapësirat publike.
Ky proces duhet të krijojë harmoni mes interesave të qytetarëve që kanë nevojë për hapësirën e tyre dhe bizneset që kanë nevojë për një hapësirë shërbimi. Nuk do shkojmë në ekstrem, por do shkojmë drejt një vije ku 70% e trotuarit të jetë për njerëzit dhe 30% të jetë për shërbimin jashtë të biznesit. Eshtë e shëmtuar kur shërbimet kthehen në zaptues e pamundësojnë komunitetin të ketë pjesën e tij të jetës.
Rama njoftoi se nisi puna për monitorimin teknologjik të rrugëve me kontrollin e trafikut, por tashmë do të shtrihet edhe te shkollat e hapësirat publike në përgjithësi.
Çlirimi i hapësirave publike ka lloj-lloj qasjesh. Nuk do të ketë kthim në pikën se ku ishin më parë, nuk është vetëm çështje inspektimesh, por e vendosjes në një nivel tjetër të kontrollit përmes teknologjisë e jemi shumë afër edhe në këtë aspekt.
Kemi nisur punën me monitorimin teknologjik të rrugëve, që e kemi filluar me monitorimin e trafikut. Pjesë të këtij plani kemi edhe monitorimin e shkollave e do të nisim monitorim teknologjik të territorit kudo të mund të ndjekim gjithçka ndodh në territor përmes dronëve. Kjo do të bëjë që puna e inspektorëve dhe syve në terren, të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë.
Pyetjes se “Kush ishte qeveria që e lejoi këtë zaptim?”, kryeministri iu përgjigj:
Nuk është qeveria që merret me karriget dhe tavolinat. Jemi në kushtet e një mobilizimi për t’u dhënë një përgjigje shqetësimit të qytetarëve të panumërt në qytete të mëdha, të vënë re gjatë fushatës, për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, çadrave e barrikadave. Nga ana tjetër, u morën taksat për to. Shpresoj të jenë marrë taksat për çdo metër katror të zaptuar. Do të ishte gjysma e së keqes, që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë.