Rajoni

Lista Serbe nuk u certifikua, BE: Politizimi i KQZ-së, i dëmshëm për Kosovën!

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë shpreh keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës që është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, deklaroi në një reagim në Facebook.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u shpreh se ndihet “i shqetësuar” mbi përpjekjen e fundit nga aktorët politikë për të mos e lejuar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore.

Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe “janë përçarëse”.

OSBE-ja vuri në dukje se është “seriozisht e shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili reflektohet në sjelljen gjatë votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake e jo nga kritere ligjore dhe parime demokratike”.

Sjellje të tilla minojnë paanshmërinë dhe besueshmërinë që janë thelbësore për një organ të pavarur të administrimit të zgjedhjeve.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, e cilësoi “plotësisht të papranueshëm” vendimin e KQZ-së.

Kjo tregon jo vetëm mungesën e kapaciteteve demokratike, por edhe një qëndrim plotësisht të papranueshëm ndaj një komuniteti kombëtar.

Kreu i diplomacisë së Serbisë shpreson se me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ky vendim do të rishikohet, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme. Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi kështu veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit e për ato lokale të 12 tetorit.

Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 vende të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj sepse partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti në dy përpjekje ta marrë mbështetjen e Kuvendit për një mandat të ri. Subjekti fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 në parlament nuk ishin të mjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri të pakicës prej 61 vendesh në Kuvend.