Bota

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, reagon legjenda braziliane e futbollit, Pele!

Sulmet që Rusia ka vazhduar ndaj Ukrainës, kanë prekur zemrat e të gjithëve pa përjashtim. Mes shumë reagimesh që kanë ardhur nuk kishte si të mungonte edhe një reagim nga një nga legjendat braziliane të futbollit, Pele. Pele nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Instagram shkroi se i lutet Zotit që të mbizotërojë paqja, liria dhe dashuria.

Vitet kalojnë, por pak ka ndryshuar që kur isha fëmijë. Tragjeditë që kemi përjetuar tashmë duhet të na kishin mësuar të ndërtonim një botë më paqësore. Unë i dërgoj solidaritetin tim popullit të Ukrainës. Jam në lutje, duke i kërkuar Zotit që të mbizotërojë paqja, liria dhe dashuria.

https://www.instagram.com/p/CaYA1IQONk-/

Ylli brazilian, i konsideruar nga shumë njerëz si futbollisti më i mirë në histori, shprehu në këtë mënyrë në rrjetet sociale solidaritetin me popullin e Ukrainës. Ndërkaq, legjenda e Canarinhas është shtruar në spital që prej 13 shkurtit, për të vazhduar trajtimin e tumorit për të cilin ishte operuar tashmë. Megjithatë, ekipi mjekësor që e trajtonte, njoftoi se ai do të duhej të qëndronte edhe disa ditë, për shkak të një infeksioni aktual urinar.

Pelé i është nënshtruar seancave të kimioterapisë dhe shëndeti i tij është përkeqësuar vitet e fundit për shkak të problemeve në shpinë, ijë dhe gju, të cilat i kanë zvogëluar lëvizshmërinë dhe e kanë detyruar t’i nënshtrohet një operacioni. Ndërkaq, sa vjen e ngushtohet rrethimi rus i Ukrainës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës druhen se trupat e Moskës do të marrin kontrollin e kryeqytetit ukrainas. Por, presidenti Volodymyr Zelensky refuzon ofertën amerikane për t’u evakuar nga shërbimet e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.