Sa vjen e ngushtohet rrethimi rus i Ukrainës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës druhen se trupat e Moskës do të marrin kontrollin e kryeqytetit ukrainas. Por, presidenti Volodymyr Zelensky refuzon ofertën amerikane për t’u evakuar nga shërbimet e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.
Dua municione jo një rrugëkalim! Beteja është këtu!
Një apel, Zelensky e ka sërish për popullatën:
Mos i dorëzoni armët! Mbroni kryeqytetin!
Ndërkaq, Këshilli i Sigurisë në Ukrainë shprehet se po ndalin sulmin.
Situata në Kiev është nën kontrollin e forcave tona të armatosura dhe qytetarëve.
CNN raporton se “Trupat ruse po e sulmojnë Kievin nga disa drejtime dhe shumë shpejt mund të marrin kontrollin e kryeqytetit”. Aty dëgjohen shpërthime të vazhdueshme, sidomos në periferi.
Një shqetësim ka edhe për sigurinë në Çernobil ku ndodhet centrali bërthamor. Të paktën këtu një lajm i mirë: forcat ukrainase e ruse arritën marrëveshje për të garantuar në mënyrë të përbashkët sigurinë e impiantit. Lajmin e bëri të ditur ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, i cili tha se se “Moska nuk do që Kievi të zhvillojë bombë të pistë”. Më tej, shprehu bindjen se “do të arrihet shumë shpejt” objektivi i operacionit ushtarak që nisi dy ditë më parë, për atë që Rusia e quan “çmilitarizim i Ukrainës”.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ashtu siç pritej, Moska i vuri veton duke bllokuar projekt-rezolutën e Amerikës e të Shqipërisë kundër agresionit rus në Ukrainë.
Krahas presidentit Putin e kryediplomatit Lavrov duke i ndaluar hyrjen në Amerikë, tashmë, në shënjestrën e sanksioneve amerikane kanë përfunduar edhe kreu i ushtrisë, Valery Gerasimov e ministri i Mbrojtjes, Serghiei Shoigu.
Sipas OKB-së, rreth 100 mijë ukrainas lanë shtëpitë duke u shpërngulur në një tjetër zonë brenda Ukrainës. Me mijëra të tjerë i janë drejtuar Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë, Moldavisë e Rumanisë.