Bota

Lufta në Gaza, Trump mendon se Netanyahu po ‘ia fut’/Izraeli: “fake news”!

Mediat raportojnë se pavarësisht asaj që duket, ka një klimë të fortë mungese besimi mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Ka raportime se kohët e fundit, Trump iu ka thënë bashkëpunëtorëve kryesorë se Netanyahu po e mashtron. Por, gazeta Wall Street Journal shkruan se pavarësisht frustrimeve të tij, presidenti amerikan nuk ka gjasa të ndahet publikisht me Bibin. Një zyrtar i lartë izraelit i cituar në artikull deklaroi se Trump dhe Netanyahu kanë marrëdhënie të shkëlqyera e se çdo sugjerim për të kundërtën është “lajm i rremë”.

Konflikti në Lindjen e Mesme ka arritur në ditën e 713-të. Ofensiva e fundit e Izraelit në Gaza vazhdon, me bomba dhe raketa që u hodhën që në orët e para të mëngjesit, duke goditur zonat pranë disa prej spitaleve të pakta funksionale të mbetura. Të paktën 83 persona janë vrarë.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi se Rripi i Gazës është një “minierë ari pasurish të patundshme” dhe se ai po negocion me amerikanët se si ta ndajë atë pas luftës. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni deklaroi:

Reagimi i Izraelit është padyshim joproporcional, një situatë që mund të përkeqësohet vetëm me pushtimin e Qytetit të Gazës, një zgjedhje me të cilën Italia nuk mund të pajtohet.

Në Vatikan, Papa Leoni theu heshtjen e tij dhe u shpreh:

Unë jam pranë popullit të Gazës, kushtet janë të papranueshme.

Brukseli zyrtar nuk qëndron indiferent dhe vendos të pezullojë mbështetjen dypalëshe për Izraelin, “një sinjal i rëndësishëm për paqen”, vuri në dukje  komisioneri i BE-së Suica, ndërsa shefja e Komisionit Europian, von der Leyen shkroi një postim në X:

Armëpushim i menjëhershëm dhe lirim i pengjeve, ne mbështesim dy shtetet.

Këto reagime nuk kanë lënë indiferent kryeministrin e Izraelit. Benjamin Netanyahu kishte këtë koment përmbledhës:

Kushdo që na dënon është një hipokrit.