Në mbledhjen e fundit për vitin 2024, qeveria e Kosovës mori vendim që të shtojë sanksionet ndaj Rusisë. Zv.ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, vuri në dukje se nga fillimi i agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kosova ka shprehur solidaritet me popullin ukrainas.
Në përputhje me pakon e re të 14-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë të datës 24 qershor dhe në përgjigje të vazhdimit të agresionit rus, është e domosdoshme që Kosova të aprovojë propozimin e ri për masa shtesë.
Sanksionet përfshijnë zgjerimin e listës së personave/entiteteve të sanksionuar me individë apo organizata të reja të ndërlidhura me aktivitetet ushtarake të Rusisë; kufizime të reja sikurse ndalimi i eksporteve të teknologjisë së avancuar dhe mallrave që kanë impakt në kapacitetet industriale dhe ushtarake të Rusisë, si dhe ndalimi i importeve.
Po ashtu, sanksionet përfshijnë sektorin e gazit të lëngshëm natyror, me masë kundër 50 anijeve që Rusia i përdor për të anashkaluar kufizimet në transportin e naftës e të karburanteve.
Duke miratuar këto masa, vendi ynë konfirmon përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe rendit ndërkombëtar si një partner i besueshëm në përpjekje të botës së lirë, për të ndaluar agresionin rus, deklaroi Gashi, para votimit unanim të kabinetit qeveritar.