Bota

Lufta ruse në Ukrainë, raportime për trupa shtesë nga Koreja e Veriut!

Drejtuesit ushtarakë të Koresë së Jugut raportuan se duket se Pheniani ka dërguar 3 mijë trupa të tjera për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës, siç njoftoi agjencia e lajmeve “Yonhap”.

Nga rreth 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut të dërguar në Rusi, janë raportuar 4 mijë viktima dhe rreth 3 mijë ose më shumë ushtarë u çuan shtesë në muajt janar dhe shkurt, bënë të ditur shefat e Shtabit të Përbashkët (JCS) në Seul.

Në fund të shkurtit, shërbimi Inteligjent i Koresë së Jugut tha se besonte se Pheniani kishte dërguar një valë të dytë trupash në vijën e frontit në rajonin Kursk të Rusisë, megjithëse në atë kohë nuk ishin në dijeni të qëllimit të saktë të dislokimit.

Referuar “Yonhap”-it, shtabi i përgjithshëm në Seul deklaroi se ushtria e Koresë së Veriut kishte pësuar rreth 4 mijë viktima në luftën në Ukrainë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse shifra përfshin ushtarë të plagosur përveç atyre që kanë gjetur vdekjen.

Krahas dërgimit të trupave, Koreja e Veriut po vazhdon të furnizojë Rusinë me municion dhe armë në një shkallë të gjerë, duke përfshirë raketa me rreze të shkurtër veprimi, obus vetëlëvizës e raketahedhës, sipas informatave të dhëna nga ushtria e Koresë së Jugut.

Presidenti ukrainas iu bëri thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë të paktën, po aq të qëndrueshëm sa janë ata, përballë kushteve të vendosura nga Rusia lidhur me zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi.

Volodymyr Zelensky, i cili foli me gazetarët në Paris para samitit të rëndësishëm të mbrojtjes për formimin e një “koalicioni të vullnetit”, tha se ra dakord të vazhdojë bisedimet për armëpushim në Arabinë Saudite, për të siguruar rinisjen e ndihmës amerikane dhe ndarjen e informacioneve të Inteligjencës.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se bisedimet prodhuan marrëveshje “për zhvillimin e masave për zbatimin” e zotimeve të fundit për të ndalur sulmet ndaj objekteve të energjisë e një armëpushim në Detin e Zi. Por, Moska po kërkon që të përmbushen një sërë kushtesh, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, në këmbim të respektimit të marrëveshjes.

Në mes të një stuhie diplomatike, të udhëhequr nga SHBA-të për dhënien fund të luftës në Ukrainë, europianët po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një vend në tryezën e negociatave. Por, deri tani janë mbajtur jashtë raundeve të bisedimeve që kanë përfshirë Moskën, Kievin e Uashingtonin.