Bota

Lufta ruse në Ukrainë, viktima nga sulmet në Kiev!

Rusia nuk ndalet, sulmoi kryeqytetin ukrainas me një breshëri raketash dhe dronësh, duke vrarë të paktën 4 persona. Moska goditi me 39 dronë edhe të llojit Shahed e me katër raketa balistike, në orët e para të mëngjesit. Ukraina njoftoi se rrëzoi dy raketa dhe 24 dronë. Ndërkaq, disa zona industriale në Rusi janë përfshirë nga flakët pas sulmeve ajrore ukrainase.

Katër persona humbën jetën pasi një raketë e rrëzuar ra në qarkun Shevçenkivski, siç bëri të ditur kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko. Po ashtu, vuri në dukje se copëza të raketave të tjera ranë në të tjera qarqe të kryeqytetit ukrainas.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, vuri në dukje se në qarkun Shevçenkivski kishte dëme materiale në një ndërtesë banimi, në një linjë të furnizimit me ujë, si dhe në hyrjen e një stacioni metroje.

Dronë dhe raketa janë rrëzuar në mbarë Ukrainën, në rajonet e Poltavës, Sumit, Harkivit, Çerkasit, Çernihivit, Kievit, Hmelnitskit, Zhitomirit, Kirovoradit, Dnipropetrovskit, Hersonit dhe Donjeckut.

Në një tjetër zhvillim, zonat industriale në rajonet Kaluga e Tula të Rusisë sot u përfshinë nga flakët, pas sulmeve ukrainase me dronë, njoftuan zyrtarët lokalë.

Rusia që ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022 dhe po e vazhdon prej rreth tre vitesh, deklaroi se 46 dronë ukrainas u shkatërruan në mbarë territorin rus gjatë natës.

Në Kaluga, një dron shkaktoi zjarr në qytezën Liudinovo. Banorët publikuan në rrjetet sociale informacione se sulmi pati për objektiv një depo nafte në zonë. Për zjarr u raportua edhe në rajonin Tula e guvernatori Dmitry Milyaev saktësoi se një depo karburantesh u përfshi nga flakët. Në asnjë nga këto sulme në Rusi nuk është raportuar për viktima.