Gossip

Macaulay Culkin zbulon prapaskenat tronditëse të skenës me bletë në filmin “My Girl”!

Më shumë se tre dekada pas publikimit të filmit të famshëm të vitit 1991, “My Girl”, aktori Macaulay Culkin ka zbuluar detaje befasuese rreth një prej skenave më traumatike për publikun, vdekjes së personazhit të tij, Thomas J., pasi pickohet nga bletët.

Duke folur në podcast-in “On Film…With Kevin McCarthy”, Culkin, sot 45 vjeç, tregoi se për xhirimin e asaj skene nuk janë përdorur efekte speciale, por bletë të vërteta.

Unë punova me bletë

-tha ai, duke konfirmuar se mijëra bletë të gjalla u lëshuan mbi të për ta bërë skenën sa më reale.

Aktori shpjegoi edhe teknikën e pazakontë që ekipi kishte përdorur, një metodë që, sipas tij, sot me shumë gjasa nuk do të lejohej për arsye sigurie.

Më vunë diçka në majë të gishtave që kishte erë si bletë mbretëreshë, në mënyrë që bletët të tërhiqeshin nga duart e mia dhe të mos më shihnin si kërcënim

-rrëfeu Culkin.

Ata në fakt lëshuan mijëra bletë mbi mua, imagjinoni! Nuk po bëj shaka, ato ishin bletë të vërteta. Kjo nuk do të kalonte sot

-shtoi ai.

Për ta bërë skenën edhe më dramatike, regjisorët i dhanë vetëm një udhëzim:

Më thanë të tundja duart para fytyrës që bletët të vinin përpara fytyrës time dhe të dukeshin sa më mirë në kamerë

-ka treguar Culkin.

Skena, që ka mbetur e gdhendur në kujtesën e shumë shikuesve, duket se ka qenë po aq intensive edhe prapa kamerave sa në ekran.