Bota

Maduro para gjykatës amerikane: Jam i pafajshëm!

Nicolas Maduro u paraqit para një gjykate federale në Manhattan, ku u njoh me akuzat që rëndojnë ndaj tij, nga gjyqtari Alvin Hellerstein. Eshtë fjala për trafiqe droge dhe armësh.

Kur gjyqtari i gjykatës së Manhattan-it i kërkoi të konfirmonte identitetin, Maduro u përgjigj në spanjisht, duke e quajtur veten “President i Republikës së Venezuelës” dhe shtoi se ishte “rrëmbyer”.

Jam i pafajshëm, nuk jam fajtor.

Edhe Cilia Flores, bashkëshortja e Maduros, konfirmoi identitetin në gjykatë dhe u shpreh:

Jam Zonja e Parë e Venezuelës. Jam plotësisht e pafajshme.

Avokati i Maduros, Barry Pollack, tha para togave të zeza se ai dhe bashkëshortja kanë probleme mjekësore e se mund të kenë pësuar fraktura, si pasojë e operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë.

Gjykatësi Alvin Hellerstein caktoi datën 17 mars lidhur me seancën e radhës gjyqësore, ku i pandehur është presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Venezuelën, përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara, Mike Waltz, deklaroi se Amerika nuk është në luftë me Venezuelën dhe as me popullin e saj.

Siç ka theksuar sekretari Rubio, nuk ka asnjë luftë kundër Venezuelës apo popullit të saj. Ne nuk po pushtojmë Venezuelën, bëhet fjalë për një operacion policor.

Në zbatim të akuzave legjitime që janë në fuqi prej dekadash, Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar një narkotrafikant që tani do të gjykohet në SHBA, në respekt të shtetit të së drejtës, për krimet e kryera kundër popullit tonë gjatë 15 viteve të fundit.

Gjykatësi Hellerstein ndjek dosjen e Maduros prej më shumë se një dekade ndërsa prej 15 vitesh ndaj tij janë ngritur akuza dhe Maduro konsiderohet i pandehur për “komplot narko-terrorizmi, import kokaine, zotërim armësh dhe pajisjesh shkatërruese e konspiracion për të zotëruar armë dhe pajisje shkatërruese kundër SHBA-ve”.

Maduro me gruan mbahen në qeli, në një institucion që njihet ndryshe si “Alkatrazi” i Nju Jorkut.