Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quajti “korbë të korrupsionit” Ogerta Manastirliun, kandidaten e propozuar nga kryeministri Edi Rama për kreun e Bashkisë Tiranë.
Dhe kë i çoi Tiranës? I çoi korbën e korrupsionit. I çoi njeriun që me qëndrimet që mbajti ndaj COVID-it, meriton në mënyrë absolute, minimumi dënim të përjetshëm. Janë 22 mijë vdekje që ajo i fshihte. Plus gjërat e tjera. Janë 500 milion euro, të avulluara, të dhëna për COVID-in. Dhe ky e çon atë për qytetarët e Tiranës sikur ta ketë Tiranën kopshtin e PS-së, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Berisha falënderoi kandidatin e PD-së për Bashkinë Tiranë në zgjedhjet e fundit, Belind Këlliçin, për punën që bëri duke denoncuar kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili sot ndodhet në paraburgim.
Duhet ta përgëzoj degën e Tiranës dhe Belind Këlliçin që për 46 javë nuk iu ndanë atij hajduti, ndër më të poshtrit që ka Shqipëria dhe që e ka emrin Erion Veliaj.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama i kërkoi anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës që të nisnin procedurat për shkarkimin e kryetarit Veliaj, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve. Një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme dërgoi dosjen e Veliajt në gjykatë, pasi mbylli hetimet ndaj tij. Veliaj akuzohet për korrupsion dhe vepra të tjera penale.
Në një tjetër zhvillim, kryetari i PD-së rikonfirmoi Gazment Bardhin kryetar të grupit parlamentar. Belind Këlliçi dhe Tomor Alizoti emërohen zv/kryetarë të këtij grupi, sekretare e të cilit do të jetë Elda Hoti. Zëdhënëse të grupit parlamentar, Berisha emëroi Lediana Aliollin.
Kam bindjen se ky grup me mbështetjen që do i bëjë Bardhit, do të njohë një performancë të re gjatë kohërave që vijnë. Për nënkryetar të grupit, Këlliçin dhe Alizotin. Nënkryetar Kuvendi, Agron Gjekmarkaj.
Bujar Leskaj u shpreh kundër Bardhit si kryetar grupi dhe deklaroi se Berisha ka gabuar rëndë.