Në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike ka zbuluar dhe goditur një rrjet që kontrabandonte makina luksoze nga shtetet e Bashkimit Europian (BE) drejt vendit ballkanik. Operacioni u krye sot në disa vende, përfshirë Shkupin, Negotinën, Dojranin dhe Manastirin, ku dyshohet të jenë përfshirë 10 persona.
Aksioni ka për qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal që merret me kontrabandën e automjeteve të shtrenjta, falsifikimin e dokumenteve dhe shpërdorimin e detyrës. Mëngjesin e sotëm janë kryer kontrolle në disa zona, shkroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një postim në Facebook.
Mes të dyshuarve janë identifikuar edhe dy zyrtarë të shërbimeve administrative për regjistrimin e makinave, për të cilët thuhet se kanë marrë pjesë në veprime kontrabande, të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, si dhe në fshehjen e mallrave që janë objekt i kontrabandës e mashtrimit doganor.
Gjatë viteve 2021 dhe 2022, me dokumente false, këta persona kanë futur në vend makina që ishin qenë objekt i hetimit ndërkombëtar, si dhe mjete që në forma të ndryshme i kanë shpëtuar kontrollit doganor. Ata i regjistronin automjetet këtu dhe i rishisnin mes tyre që të fshihnin kontrabandën. Më pas ua shisnin përdoruesve përfundimtar, theksoi Prokuroria Publike në njoftimin zyrtar.
Pas zhvillimit të procedurës paraprake dhe bazuar në provat e mbledhura, Prokuroria tha se do të ngrejë akuza kundër gjithsej 10 personave. Siç bëhet e ditur, njëri nga të dyshuarit është shtetas i Republikës së Greqisë dhe ndjekja penale për të do të kalojë në juridiksionin grek, bazuar në bashkëpunimin e mëparshëm mes Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit dhe autoriteteve greke.