Tri ditë pas futjes në listën e zezë të SHBA-ve, ish-zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga politika dhe jeta publike. Në një reagim në Facebook, Grubi, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, bëri të ditur se për këtë vendim ka informuar edhe kryetarin e partisë, Ali Ahmeti, “që nga dita e parë”.
Unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë. Sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta më kanë shtyrë të marr një vendim të këtillë. Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti.
Dje në Shkup, Ali Ahmeti tha se partia e tij nuk ka për qëllim të kontestojë vendimet e Departamentit amerikan të Shtetit. Ahmeti e vlerësoi Grubin si një person “të përgjegjshëm” e “të ndërgjegjshëm” dhe shtoi se nuk ka nevojë për përjashtimin e tij nga partia, se siç vuri në dukje “ai do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”.
Ndërkohë, Prokuroria Publike në Shkup bëri të ditur se ka nisur një hetim kundër ish-zëvendëskryeministrit Grubi, njëherazi ish-shef i kabinetit të Ahmetit, si dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti. Kjo për dyshime mbi përfshirjen e tyre në “korrupsion të lartë”.
Kryeprokurori Lupço Kocevski njoftoi se synimi i hetimit është të vërtetojë nëse ka përgjegjësi penale për Grubin dhe Bexhetin, pasi Departamenti amerikan i Shtetit i akuzoi se janë “përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-kreu i Drejtorisë për Sigurinë e Kundërzbulimin (DSK).
Grubi e mohon të ketë qenë i përfshirë në korrupsion. Vendimi i DASH-it për të dhe Bexhetin vjen rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi për zgjerimin e listës së zezë me të tjerë persona të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.