Mariah Carey bëri një rikthim madhështor në skenë gjatë ceremonisë së MTV Video Music Awards, duke i lënë të gjithë pa fjalë jo vetëm me performancën, por edhe me paraqitjen e saj spektakolare.
Edhe pse mungoi në tapetin e kuq, këngëtarja legjendare 56-vjeçare u shfaq papritur për të interpretuar disa nga hitet e saj më të mëdha dhe për të pranuar çmimin prestigjioz “Video Vanguard”.
Por ajo që vodhi vëmendjen ishte padyshim veshja e saj: një fustan trupor i ngushtë me korse, i tejmbushur me kristale ari, i kombinuar me çizme të larta me shkëlqim.
Pamja u plotësua nga një koleksion bizhuterish diamanti me vlerë marramendëse.
Gjerdani “Rosee Eternelle” prej 204.38 karatësh, i dizenjuar nga Levuma, u shndërrua në qendrën e vëmendjes, së bashku me vathët në formë llambadar. Vetëm këto dy bizhuteri arrijnë një vlerë prej rreth 10 milionë dollarësh, sipas burimeve të “PageSix”.
Këngëtarja kishte zgjedhur gjithashtu byzylykë diamanti nga Etho Maria (72.15 karatësh) dhe Hamilton (37.62 karatësh), si dhe një unazë diamanti 3.25 karatësh, duke e kompletuar look-un e saj me luks absolut.
Mariah Carey e pranoi çmimin me buzëqeshje dhe elegancë, duke u bërë jo vetëm fituesja më e vjetër ndonjëherë e “Video Vanguard”, por ndoshta edhe më e shndritshmja në historinë e çmimit. Një natë ku muzika, moda dhe legjenda u bashkuan në një skenë të paharrueshme.