Celebrities

Mark Zuckerberg dëshmon në gjyqin historik për varësinë nga rrjetet sociale dhe ndikimin te fëmijët!

Drejtori ekzekutiv i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, u paraqit në një gjykatë në Kaliforni për të dëshmuar në një çështje historike që synon të përcaktojë nëse platformat e mediave sociale mbajnë përgjegjësi ligjore për përkeqësimin e shëndetit mendor te fëmijët.

Ky proces gjyqësor shënon herën e parë që Zuckerberg përballet para një jurie me pretendimet për sigurinë e të rinjve, pas viteve të seancave të tensionuara në Kongres lidhur me ndikimin e rrjeteve sociale.

I rrethuar nga masa të rrepta sigurie, ai mbërriti në gjykatë i veshur me kostum të errët, ndërsa çështja përqendrohet te një paditëse e identifikuar me inicialet KGM, e cila kishte filluar të përdorte Instagram dhe YouTube që në fëmijëri.

Padia pretendon se kompanitë e mediave sociale projektojnë qëllimisht platforma që krijojnë varësi, duke synuar të mbajnë të rinjtë të angazhuar për orë të tëra, pavarësisht ndërgjegjësimit për rreziqet e mundshme për shëndetin mendor.

Më herët, drejtues të Instagram u paraqitën gjithashtu në gjykatë, duke pranuar se platforma mund të jetë problematike, por jo klinikisht varësuese.

Sipas Matt Bergman, avokat themelues i Qendrës Ligjore për Viktimat e Medias Sociale, rasti përfaqëson një moment të rëndësishëm për familjet amerikane.

Ky është më shumë se një moment historik ligjor. Për herë të parë, një CEO do të duhet të shpjegojë para një jurie pse kompania lançoi një produkt për të cilin kishte paralajmërime të brendshme se mund të ishte i dëmshëm për fëmijët

-deklaroi ai.

Ndërkohë, YouTube mbetet një nga të pandehurit në këtë proces, megjithëse drejtori ekzekutiv i saj nuk pritet të dëshmojë në gjykatë.