Kryeministri Edi Rama ka reaguar në X për marrëveshjen me Italinë për refugjatët, duke u shprehur i prerë se pakti do të vazhdojë ‘për sa kohë vendi fqinj do të dojë’.
“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, të cilët po kontaktojnë lidhur me një citim të shtrembëruar të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: Më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”, u shpreh Rama.
Ky reagim erdhi pasi minitri i Jashtëm Ferit Hoxha, në një intervistë për Euractiv u shpreh se: “Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian.
Hoxha, i cili ishte në Bruksel për të marrë pjesë në një takim me ministrat e jashtëm të BE-së, e cilësoi Shqipërinë si një partner të besueshëm për Italinë.
Hoxha hodhi poshtë sugjerimet se kjo mund ta nxiste qeverinë italiane, e cila mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që të mos e lejojë hyrjen e Shqipërisë, për hir të mbajtjes në funksion të kampeve të saj.
“Italia kishte nevojë për ndihmë. Ne ndihmuam. Dhe kjo nuk mund të harrohet”, tha Hoxha.
Në një reagim sot në X, ai ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet.
“Një sqarim i nevojshëm: Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.”
Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet.
Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin.
Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti.
Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, shkruan ministri.